Deklarata e Sqarimësisë

Qeveria.org është faqe interneti e mosvarme që u publikua për herë të parë online në mesditën e 28 Nëndorit të vitit 1912.

Zyra e redaksisë u vendos fillimisht në një lokal pranë mbikalimit të Rinasit në Vorë por delegatët nuk dinin të përdornin Gugëll Meps, ndaj përfunduan Vlorë.

Për mbledhjen e parë të pamvarsisë, u mor me qira një dhomë me ballkon, në katin e dytë të një vile pasi aty kapte më mirë wirelessi i Qani Bej Bitkoinollarit, komshiut përballë vilës.

Webmaster i parë i websitit ishte Ismail Qemali që edhe pse ishte plak, kur kapte tastierën ishte full stack. Adminët ishin rreth 20 delegatë nga Shqipëria dhe Kosova të cilët kanë hyrën në histori si firmëtarët e parë të borderosë.

Shpenzimet e serverit mbuloheshin me kontribute nga biznesmenët e diasporës, nga reklamat e kompanisë Gugëll Pasens dhe ndonjë tender të vockël sa për të ngjyer sqepin.

Që nga ajo kohë faqja numëron 300 mijë vizita patriotike në muaj. Faqja ka aktualisht të punësuar mbi 52 korrespondentë jo vetëm brenda Shqipërisë por edhe jashtë, si në Himarë dhe Kamëz.

Vizita në këtë faqe kushtonte 1 Frangë në kohën e Zogut, 1 Lek në kohën e Enverit dhe 1 Euro në kohën e Salës por falë reformave të kryeministrit Edi Rama tashmë ajo është krejtësisht falas si shëndetësia (mjafton vetëm të keni paguar faturat e energjisë, ujit, taksat e Bashkisë dhe kontributet shoqërore).

Nëse keni pyetje kurioze, lexoni përgjigje serioze.