Kreu i opozitës Sali Berisha mbajti fjalimin në foltroren e dytë në bulevard ku shprehu sërish akuzat dhe indinjatën e tij ndaj qeverisë Rama. Pak njerëz kishin dalë në protestë pasi shumica e demokratëve ishin bllokuar nëpër shtëpia nga përmbytjet e rrugëve.

Por sipas Berishës, foltrorja e ardhshme do ishte e treta dhe e vërteta. Sepse me rastin e zgjedhjes si zv.presidenti i CDI, tradita e kërkonte që ti organizohej një festë madhështore karnavalesh në rrugët e Rio de Zhanerios, ashtu sic ishin organizuar edhe për 17 zëvendësat e tjerë të CDI.

Zv.Presidenti Berisha u kishte kërkuar kolegëve që të mos e organizonin festën në Brazil, por në Tiranë në protestën e rradhës.

“Pjesëmarrja e tyre do tregojë mbështjetjen e Amerikës Latine ndaj partisë time” – u kishte thënë Berisha krerëve të partive, anëtare të CDI duke i siguruar se transporti, birrat dhe tequilat do të paguheshin nga biznesmenët zemërblu që i qëndronin pranë PD-së në ditë dhe vite të vështira.

Sipas parashikimeve, në bulevard priten të vijnë mbi 700 mijë brazilianë, ndoshta 1 milionë. Protesta e rradhës do ta ketë foltroren te Kryeministria dhe protestuesit përtej Atlantikut do shtrihen nëpër bulevardin “Dëshmorët e Kombit, do vijojnë në bulevardin “Zogu I-rë” e deri në bulevardin e ri duke përfunduar në Kamëz.

“Protestë si kjo nuk ka parë ndonjëherë Ballkani” – u kishte thënë zv.Presidenti Berisha para se të ndahej me kolegët kristianë demokratët e CDI-së.

Në rrugën e kthimit me avion, Albana Vokshi dhe Belind Këllicit i kishin shprehur një shqetësim Berishës, pasi kishin frikë se mos ndoshta Rama e shfrytëzonte masivitetin e protestës duke i konsideruar si arritje të turizmit. Por Berisha i siguroi se dhjetëra deklarata nga partitë e CDI do të vërshonin si lumë nëpër mediat botërore dhe ato shqiptare dhe Rama e ka vërtetuar se nuk di ti përballojë përmbytjet e lumenjve.